Kaos parkimi në QSUT, ambulancat me të sëmurë presin hapjen e traut me pagesë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 17.02.2025, 12:09

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, sistemi i parkimit ka krijuar shumë shqetësime për qytetarët. Edhe pse tarifat janë të kripura, shërbimi që ofrohet është larg standardeve të pritshme, dhe gjetja e një vendi për të parkuar shpesh është një mision i pamundur.

Por edhe nëse ke gjetur një vend, sa për të mos parkuar në rrugë e gjobitur në çast nga policia, dalja nga parkimi është një sfidë më vete. Një qytetar ka raportuar ditën e sotme kaosin që është krijuar në traun e parkimit në QSUT dhe vonesat e ambulancave për shkak të pagesës së automjeteve të tjera.

Qytetari thotë se është e turpshme që ambulanca s'ka korsinë e vetë si për të dalë ashtu edhe për të hyrë nga spitali, pasi pasojat i vuan i sëmuri që pret. Sipas tij, ambulanca duhet të ketë korsinë e vetë që këto vonesa dhe probleme të shmangen në kohë.

Ndërkohë duhet thënë se kaosi në këtë parkim shkaktohet edhe për shkak të hapësirave të kufizuara që parkimi ka. Mbi 4000 automjete hyjnë përgjatë 24 orëve në mjediset e spitalit universitar, i cili disponon vetëm 900 poste dhe për këtë arsye qytetarët shpesh detyrohen të parkojnë ku të mundin, çka krijon bllokime dhe vështirësi në qarkullim, përfshirë edhe ambulancat.

Mungesa e kamerave, pellgjet e ujit dhe rrugët e mbushura me zhavorr e bëjnë situatën edhe më të vështirë.

Qytetarët i kërkojnë Fondi Shqiptar të Zhvillimit, i cili menaxhon këtë territor, të vendosë një limit për numrin e automjeteve që mund të parkojnë, në përputhje me kapacitetin e ofruar dhe të krijojë një korsi të posaçme për lëvizjen e ambulancave, pasi rastet kur ambluancat janë vonuar për të shkuar në vendngjarje janë të shumta.

Kujtojmë se tarifat e parkimit në QSUT nisin nga 100 leke të reja për dy orët e para e më tej duhet të paguash 100 lekë për çdo orë shtesë dhe futja pa limit e makinave, mund të jetë një zhvatje nga FSHZH me në krye Dritan Agolli.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit