Ndryshimet klimatike dhe ndërhyrjet në mjedis po intensifikojnë erozionin përgjatë vijës bregdetare të Shqipërisë, me zonat më të rrezikuara të identifikuara në Kune-Vain të Lezhës dhe grykëderdhjen e Lumit Buna në Shkodër.
Sipas ekspertëve, një e treta e vijës bregdetare të vendit, që shtrihet mbi 400 kilometra, është e ekspozuar ndaj erozionit, shkruan VOA. Procesi i avancimit të detit ka sjellë humbje të konsiderueshme të plazheve dhe pyjeve, duke ndikuar si në ekosistemet natyrore ashtu edhe në aktivitetin ekonomik të komuniteteve bregdetare.
Një studim i organizatës mjedisore “Eco Albania” thekson se erozioni është veçanërisht i përhapur në grykëderdhjen e Semanit, në skajin jugor të Gjirit të Durrësit, në Karpen, jugun e Gjirit të Lalzit, grykëderdhjen e Lumit Mat, si dhe në Tale, Kune-Vain të Lezhës dhe disa zona të Velipojës.
Kune-Vaini është zona më e prekur, ku banorët dhe bizneset vendase kanë ngritur barriera me thasë rëre për të ngadalësuar procesin e avancimin alarmant të detit.
Stuhitë detare, të cilat ndodhin nga tetori deri në mars, përshpejtojnë erozionin dhe dëmtojnë brezin pyjor me pisha përgjatë bregdetit të Shëngjinit.
Sipas specialistëve të mjedisit, nëse nuk ndërmerren masa të menjëhershme për të frenuar avancimin e detit, pasojat do të jenë afatgjata, duke ndikuar në mjedisin natyror, ekonominë dhe jetën e rreth 430 mijë banorëve të zonave bregdetare. Për më tepër, erozioni mund të rrezikojë të ardhmen e sektorit të turizmit, një nga burimet kryesore të ekonomisë së vendit.