Një apel prekës ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania për Emiljano Begën, një adolent 17-vjeçar nga Tirana që po lufton kundër një sërë sëmundjesh të rënda.
I diagnostikuar me Diabet Mellitus Tip 2, Hipotiroidizëm, Obezitet të rëndë, vonesë psikomotore dhe epilepsi, Emiljano ka kaluar një fëmijëri të mbushur me sprova të rënda shëndetësore.
Në moshën 2-vjeçare, ai u diagnostikua me Leuçemi Akute Limfoblastike, për të cilën iu nënshtrua një cikli të gjatë 9-mujor të kimioterapisë, gjatë së cilës u infektua edhe me Hepatit C.
Në moshën 6-vjeçare, ai pësoi hemorragji cerebrale (Aksident Vaskular Akut), çka e detyroi të shtrohej në spital për dy javë. Tani ai trajtohet me ilaçe të shumta, ndërsa së fundmi është shtruar në spital edhe për Bronkopneumoni.
Familja e tij ndodhet në një situatë tejet të rëndë psikologjike dhe financiare. I ati ka humbur aftësinë për të përballuar realitetin dhe ka kaluar në gjendje të rënduar mendore, ndërsa vëllai i tij ndodhet në burg në Itali.
Nëna e tij, e vetmja që kujdeset për të, është në një situatë të dëshpëruar dhe ka nevojë për ndihmën e çdo shqiptari për t’i shpëtuar jetën të birit.
Sipas mjekëve, nevojiten 80,000 euro për kurimin e tij në Turqi.
Le të bëhemi bashkë për të shpëtuar jetën e Emiljanos! 🙏