Nuk respektoi distancën e sigurisë në autostradë, zvicerani gjobitet me 98,000 franga

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 16.02.2025, 21:51

Një biznesmen zviceran nga kantoni Aargau është gjobitur me mbi 100,000 dollarë (98,457 franga zvicerane) për mos respektimin e distancës së sigurisë ndërmjet dy mjeteve, pasi është kapur duke i qëndruar shumë afër një automjeti tjetër në autostradë.

Rasti ka ngjallur debat të gjerë mbi drejtësinë e gjobave të bazuara në të ardhurat e shkelësve të ligjit. Ndërsa në SHBA një shkelje e tillë do të kushtonte mes 100 dhe 300 dollarë, në varësi të precedentëve, në Zvicër gjoba është llogaritur sipas të ardhurave të drejtuesit të mjetit, të cilat i kalonin 1.7 milionë dollarët në vit.

Ngjarja ndodhi në mars të vitit të kaluar në autostradën A1, e cila lidh Zyrihun me Lozanën përmes kantonit Aargau. Policia e kapi shoferin duke ndjekur nga afër një tjetër automjet, dhe gjykata e ndëshkoi me një gjobë prej 50 ditësh, ku secila ditë kushtonte 2190 dollarë, duke arritur në një total prej 109,500 dollarësh. Megjithatë, dënimi u pezullua për dy vjet, që do të thotë se ai do ta paguajë vetëm nëse kryen një shkelje tjetër brenda kësaj periudhe.

Përveç kësaj, ai u detyrua të mbulonte edhe shpenzimet gjyqësore, që arrinin në rreth 14,500 dollarë.

Gjykata Supreme Zvicerane, e cila disponon pamje nga policia që tregojnë afërsinë ekstreme të makinës së tij me automjetin përpara, e mbrojti vendimin duke deklaruar: “Ky nuk është një vendim arbitrar”. Aktualisht, biznesmeni ka apeluar vendimin.

Reagimet në internet kanë qenë pro dhe kundër. Disa e kanë cilësuar dënimin si të padrejtë, duke argumentuar se, nëse një person me të ardhura vjetore prej 50,000 dollarësh do të merrte një gjobë proporcionale, ajo do të ishte rreth 3,125 dollarë – shumë më tepër se gjobat standarde për këtë shkelje. Të tjerë kanë theksuar se një milioner ka më shumë mundësi financiare për të përballuar një gjobë të tillë dhe se ndëshkimi duhet të jetë proporcional me të ardhurat për të pasur efekt parandalues.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit