Një baba i ri që vodhi një celular teksa ishte nën kthetrat e varësisë nga droga, vijon të mbetet në burg edhe pas 20 vitesh në Britani.
43 vjeçari Leroy Douglas, ishte dënuar fillimisht me dy vjet e gjysmë burg për vjedhjen e një celulari në një stacion treni për të ushqyer varësinë e tij në vitin 2005.
Tashmë megjithse ka tejkaluar varësinë e tij, ka kryer 36 kurse mësimi dhe ka qëndruar i mbyllur rreth tetë herë më shumë se dënimi, autoritetet vijojnë ta mbajnë brenda sipas një ligji të kontestuar dhe të anuluar të quajtur “burgim për mbrojtje të publikut”.
Në një apel të ndjerë nga burgu, burri shprehej: “Ky është një dënim mizor, burgimi im është bërë çnjerëzor dhe degradues. Dikush duhet të ndërhyjë.”
Apeli i tij vjen në një kohë kur raportuesja e OKB për torturën Dr Alice Edwards paralajmëroi se qeveria britanike po shkel të drejtat e njeriut të të burgosurve, nëse nuk bën rivlerësim të të neglizhuarve nga ligjet e mëparshme.
Dr Edwards tha për të përditshmen The Independent: “Kjo burgosje pa afat, pa një rrugë të qartë drejt lirimit, është çnjerëzore. Disa nga këta të burgosur po mbahen në mënyrë arbitrare dhe në shkelje të ligjit”.
Nuk dihen arsyet e këtyre praktikave nga qeveritë e vendeve por në Britani janë rreth 2,614 të burgosur për krime të vogla që mbahen arbitrarisht me ligjin tashmë të anuluar të “mbrojtjes publike”, shkruan rrjeti vendas The Independent.
Megjithëse nuk ka marrë droga prej vitesh dhe as nuk ka kryer dhunë në burg, Douglas vijon të mbahet i burgosur nga sistemi i drejtësisë.
“Do të ishte shumë e bukur të lirohesha nga burgu. Mund të vazhdoja jetën për një kapitull të dytë, të njihja një femër, ndoshta të martohesha e të qëndroja larg krimit”.
“Vodha një celular pa dhunë fizike në 2005 dhe tashmë kam bërë 19 vjet burg. Burgosja ime nuk është për mbrojtjen e publikut”, thotë i burgosuri i ngecur në ingranazhet e sistemit mizor të drejtësisë.