Edhe pse i trishtë si fakt, të gjithë jemi të vetëdijshëm se brezi i ri që po rritet është tepër bullizues, dhunues dhe i ashpër.
Pak ditë më parë, një 17-vjeçare në Gjirokastër i dha fund jetës për shkak të bullizimit në shkollë nga bashkëmoshatarët.
Vështirësitë financiare, mos pasja e një fustani të bukur si shoqet dhe komentet e tyre bullizuese dhe tallëse e çuan vajzën e re drejt një akti të tillë.
Por ky nuk është rasti i vetëm, pasi nëse kalon disa minuta në rrjetin social TikTok llahtarisesh nga gjuha ofenduese, e rëndë, bullizuese dhe aspak e përshtatshme që të rinjtë, djem e vajza përdorin.
Së fundmi në JOQ, ka mbërritur një video që tregon një vajzë të re, me siguri gjimnaziste, që s’përmbahet dot kur flet për një vajzë që i ka marrë të dashurin.
Vajza flet “duke iu shitur mend” të tjerëve se si askush nuk di çfarë është e aftë të bëjë apo të rrahë të tjerë. Madje në një moment, ajo i thotë vajzës që i ka marrë të dashurin se është e paaftë dhe duhet të vrasë veten.
Të tilla rastesh dhe ky lloj fjalori janë alarmant për brezin që po rritet, pasi nëse ky “fenomen” s’ndalet në kohë me masat e duhura, pasojat do jenë tepër të rënda dhe të parikuperueshme.