Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për krijimin e një "ushtrie evropiane" në një kohë kur po rriten shqetësimet se SHBA-ja mund të mos i dalë më në mbrojtje kontinentit.
Gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, Zelensky deklaroi se zv/presidenti amerikan JD Vance e kishte bërë të qartë se marrëdhënia e vjetër mes Evropës dhe Amerikës "po merr fund" dhe se kontinenti "duhet të përshtatet me këtë realitet të ri".
Ai theksoi gjithashtu se Ukraina "nuk do të pranojë kurrë marrëveshje të bëra pas krahëve tanë dhe pa përfshirjen tonë", duke iu referuar bisedimeve të mundshme të paqes mes Donald Trump dhe Vladimir Putin.
Të shtunën, Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi një telefonatë me ministrin e jashtëm të Rusisë, duke ndjekur kontaktin e mëparshëm mes Trump dhe Putin. Moska konfirmoi se biseda u zhvillua me kërkesë të Uashingtonit dhe se të dyja palët ishin të përkushtuara për të rikthyer dialogun mes vendeve.
Ndërkohë, i dërguari special i Trump për Ukrainën deklaroi se Evropa do të informohej për bisedimet mes SHBA-së dhe Rusisë, por nuk do të ishte pjesë e tyre. Ai argumentoi se përpjekjet e mëparshme kishin dështuar sepse "shumë palë ishin të përfshira".
Presidenti ukrainas tha gjithashtu se kishte refuzuar një marrëveshje të propozuar nga Trump, e cila do t'i jepte SHBA-së akses në burime të rëndësishme natyrore të Ukrainës në këmbim të mbështetjes. Sipas tij, marrëveshja nuk përfshinte "garanci sigurie" dhe nuk e mbronte Ukrainën nga kërcënimet ruse.
Në fjalën e tij, Zelensky theksoi se Evropa nuk mund të përjashtojë mundësinë që SHBA të refuzojë mbështetjen në një moment krize. Ai rikujtoi se shumë liderë kanë diskutuar mbi idenë e një ushtrie të përbashkët evropiane.
Një propozim i tillë është mbështetur më parë edhe nga presidenti francez Emmanuel Macron, i cili ka argumentuar se Bashkimi Evropian duhet të reduktojë varësinë nga SHBA për çështje sigurie. Megjithatë, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e ka kundërshtuar këtë ide.
Si Trump ashtu edhe Sekretari i Mbrojtjes Hegseth kanë lënë të kuptohet se Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO.