Familjarët e 12-vjeçarit që ndërroi jetë në QSUT thirrje për protestë para Ministrisë së Shëndetësisë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 15.02.2025, 21:33

Familja e 12-vjeçarit Leo Sadiku, i cili ndërroi jetë në QSUT më 8 janar të këtij viti, ka thirrur një protestë përpara Ministrisë së Shëndetësisë më 18 shkurt, në orën 17:00. Ata kërkojnë drejtësi për humbjen e djalit të tyre, duke akuzuar mjekët për neglizhencë mjekësore që çoi në vdekjen e tij.

Sipas familjarëve, Leo nuk u trajtua siç duhet nga stafi mjekësor, pasi nuk iu krye asnjë eko zemre, EKG, matje tensioni apo analiza të plota, dhe për pasojë nuk u dërgua as në reanimacion. Ata shprehen të revoltuar ndaj sistemit shëndetësor, duke e cilësuar të keqmenaxhuar dhe të pajisur me infrastrukturë të mangët.

Protesta nuk është vetëm për drejtësinë e Leo Sadikut, por edhe për të gjithë pacientët që vuajnë nga mungesat e pajisjeve dhe medikamenteve në spitale.

Këto probleme po marrin jetë, dhe qytetarët kanë vendosur të reagojnë. “Urgjenca e Pediatrisë është një skandal, sikur shkon në bankë, jo në spital”, thonë organizatorët, duke i bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestë për një shëndetësi më të mirë.

Ndërkohë, Prokuroria e Korçës ka regjistruar një kallëzim penal lidhur me rastin e 12-vjeçarit, por më pas ka shpallur moskompetencën për vijimin e hetimeve, duke ia kaluar dosjen Prokurorisë së Tiranës. Familja e tij ka ngritur padi ndaj mjekëve të spitaleve në Korçë dhe Tiranë, duke i akuzuar për neglizhencë mjekësore me pasojë vdekjen.

Protesta e 18 shkurtit pritet të jetë një thirrje e fortë për drejtësi dhe për një sistem shëndetësor më funksional. Qytetarët ftohen të bashkohen, për Leon dhe për veten e tyre dhe për të mos lejuar që raste të tilla të përsëriten.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit