Një problematikë e përsëritur ka sjellë shqetësim të madh tek banorët e rrugës “Qemal Butka” në Selitë.
Një denoncim i mbërritur në redaksinë e JOQ Albania shfaq pamje shqetësuese të një rrjedhje të madhe uji që shpërthen në mes të rrugës, duke përmbytur një pjesë të konsiderueshme të saj dhe duke spërkatur banesat përreth.
Në videon e dërguar nga qytetari, shihet sesi uji del me presion nga toka, duke vështirësuar kalimin e automjeteve dhe këmbësorëve. Banorët thonë se ky problem zgjat prej tre vitesh dhe ripërsëritet çdo tri javë, por askush nuk ka marrë masa për ta rregulluar përfundimisht.
Kjo situatë jo vetëm që shkakton probleme infrastrukturore, por rrezikon edhe sigurinë e banorëve dhe drejtuesve të mjeteve, sidomos gjatë natës ose në mot të ftohtë kur uji mund të krijojë akull në rrugë.
Një nga banorët e zonës, i revoltuar nga neglizhenca e autoriteteve, dërgoi këtë mesazh për JOQ Albania:
“Përshëndetje JOQ! Shikoni çfarë bëhet te Rruga Qemal Butka në Selitë. Nuk vjen njeri ta rregullojë. Ka 3 vjet ky problem dhe plas çdo 3 javë.”
Banorët apelojnë për ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për të shmangur dëmet e mëtejshme dhe për të zgjidhur njëherë e mirë këtë problem që vijon prej vitesh.