Bektashi i Malltezit pagoi hotelin me 5 yje të Lalit për të marrë leje ndërtimi

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 15.02.2025, 17:28

Kompleksi i pallateve “Mangalem”, i ndërtuar në lagjen “Ali Demi” të Tiranës, është një nga projektet më të mëdha ndërtimore në kryeqytet, me rreth 1200 apartamente. Me një stil arkitekturor të frymëzuar nga ngjyrosja e ndërtesave në vitet 2000, ky projekt u realizua nga kompania “Kontakt” e biznesmenit Fatmir Bektashi, pas një lejeje ndërtimi të miratuar në vitin 2018 nga Bashkia e Tiranës.

Sipas të dhënave të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), leja e ndërtimit për këtë projekt ishte vendosur dy vite përpara miratimit të saj, në një marrëveshje të dyshuar korruptive mes kryebashkiakut Erion Veliaj dhe ndërtuesit Fatmir Bektashi. Ky i fundit ka pranuar para hetuesve se në dhjetor të vitit 2016 kishte financuar udhëtimin dhe akomodimin e Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe disa zyrtarëve të Bashkisë në Roterdam, për një takim me studion arkitekturore OMA. SPAK pretendon se ky udhëtim synonte njohjen dhe miratimin e projektit nga kryebashkiaku.

Sipas dokumenteve të siguruara nga hetimi, biznesmeni Fatmir Bektashi kishte paguar biletat e udhëtimit në "business class" për çiftin Veliaj-Xoxa me vlerë 2688 euro dhe akomodimin në një dhomë luksoze Suite – Executive në hotelin “Marriot” në Roterdam me vlerë 677 euro. Megjithatë, Ajola Xoxa nuk ishte pjesë e këtij udhëtimi.

Më 10 shkurt, Erion Veliaj u arrestua me akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave, si pjesë e një skeme më të gjerë korruptive për përfitime financiare nëpërmjet fondeve të Bashkisë dhe organizatave të lidhura me bashkëshorten e tij. Veliaj ka mohuar akuzat, duke sulmuar publikisht prokurorin e çështjes.

Gjykata e Posaçme konfirmoi masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për Veliajn, ndërsa Ajola Xoxa u la në masën e ‘detyrimit për paraqitje’ për shkak të kujdesit ndaj fëmijës së mitur. Ndërkohë, biznesmeni Fatmir Bektashi dhe katër të tjerë u lanë nën të njëjtën masë sigurie për korrupsion aktiv.

Të dhënat nga hetimi tregojnë gjithashtu se Bektashi kishte sponsorizuar organizatën BYL-A, e lidhur me Xoxën, me 65 mijë euro për një festival kërcimi, ndërkohë që kompania e tij ka përfituar gjashtë leje ndërtimi gjatë periudhës 2018-2022.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit