Katër të mitur, të moshave 15, 16 dhe 17 vjeç, janë arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se kanë tentuar t’i marrin me dhunë sendet personale një 21-vjeçari, në zonën e quajtur Ish-Fusha e Aviacionit.
Sipas njoftimit të policisë, pas marrjes së kallëzimit nga i riu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 organizuan një operacion të shpejtë, duke identifikuar dhe arrestuar autorët e dyshuar.
Hetimet vazhdojnë, pasi dyshohet se të miturit mund të jenë të përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale në kryeqytet.
Reagimi i plotë i Policisë:
"Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, pas marrjes së kallëzimit të një 21-vjeçari se 4 të mitur kishin tentuar t’i merrnin me dhunë sendet personale, kanë organizuar punën menjëherë dhe, pas veprimeve të shpejta dhe të koordinuara, bënë të mundur identifikimin dhe arrestimin e 4 shtetasve të mitur, të moshave 15, 16 dhe 17 vjeç.
Të miturit dyshohen se, ditën e djeshme, në zonën e quajtur Ish-Fusha e Aviacionit, tentuan t’i merrnin me dhunë sendet personale një 21-vjeçari.
Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjeve të tjera në Tiranë, ku dyshohet se mund të jenë të përfshirë këta shtetas."