Një 27-vjeçare me origjinë shqiptare është arrestuar nga policia greke në aeroportin “Eleftherios Venizelos” të Athinës, si pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kanabisit hidroponik (skunk). Arrestimi i saj u krye pasditen e së enjtes (13 shkurt) nga Njësia e Luftës kundër Drogës, në kuadër të një operacioni të organizuar për goditjen e trafikut të lëndëve narkotike.
Sipas autoriteteve greke, e arrestuara është pjesë e një organizate kriminale që merrej me futjen e sasive të mëdha të kanabisit hidroponik në Greqi, përmes aeroportit të Athinës, me qëllim shpërndarjen e mëtejshme në tregun vendas.
Policia greke e kapi 27-vjeçaren në zonën e mbërritjeve të aeroportit, pasi kishte analizuar të dhëna dhe kishte ndërtuar profilin e saj si person me rrezikshmëri të lartë. Ajo udhëtonte nga Spanja dhe u ndalua me dy valixhe, brenda të cilave ishin fshehur 26.4 kilogramë kanabis hidroponik.
Gjatë kontrollit, u sekuestruan gjithashtu 195 euro dhe një telefon celular. E arrestuara u dërgua përpara autoriteteve gjyqësore greke, ku do të përballet me akuzat për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.