Përfundon takimi Zelensky-Vance: Ndaloni sa më shpejt Putin, duam garanci reale sigurie

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 14.02.2025, 19:23

Në një konferencë për shtyp pas takimit dypalësh me zëvendëspresidentin e SHBA, J.D. Vance, në Mynih, ku po mbahet Konferenca e Sigurisë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se kishin zhvilluar një “bisedë të mirë” dhe theksoi se ky ishte “takimi i parë, por jo i fundit” mes tyre.

“Detyra jonë është të flasim më shumë, të punojmë më shumë dhe të përgatisim një plan për të ndalur Putinin dhe për t’i dhënë fund luftës,” u shpreh Zelensky.

Më herët, ai kishte deklaruar se do të ishte i gatshëm të zhvillonte bisedime me presidentin rus Vladimir Putin vetëm pasi të ishte arritur një marrëveshje paqeje me udhëheqësit e SHBA-së dhe vendeve evropiane.

Presidenti ukrainas nënvizoi se Ukraina dëshiron paqen “shumë”, por theksoi nevojën për garanci të forta sigurie, duke shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen amerikane.

Nga ana tjetër, zëvendëspresidenti amerikan, J.D. Vance, kur u pyet nga një gazetar se si Uashingtoni planifikon të ecë përpara nëse Ukraina nuk është e gatshme të ulet në bisedime me Putinin, tha se një ekip i lartë është i angazhuar në negociata. “Është e rëndësishme që të mblidhemi dhe të zhvillojmë diskutime,” tha ai, duke shtuar se nuk dëshiron të japë më shumë detaje për të ruajtur “hapësirat e manovrës” në negociata.

Vance e përshkroi takimin me Zelenskyn si një bisedë të frytshme, me çështje që do të ndiqen më tej në kohën e duhur. Ai theksoi se SHBA synon të arrijë një “paqe të qëndrueshme” midis Rusisë dhe Ukrainës, por nuk dha hollësi mbi hapat konkretë që do të ndiqen.

Sipas tij, negociatat do të vazhdojnë dhe do të “zhvillohen më tej”, pa hyrë në detaje për hapat e ardhshëm.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit