Oltion Çaçi i Sarandës bën rrush e kumbulla 200 milionë te Kanali i Çukës

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 14.02.2025, 19:28

Një tjetër tender i dyshimtë ka ngritur pikëpyetje mbi praktikat e prokurimeve publike të Bashkisë Sarandë, e drejtuar nga Oltion Çaçi. Bëhet fjalë për tenderin me objekt "Rikualifikim rrugë të brendshme zona Turizëm-Kanali i Çukës", me një fond limit prej 17,412,500 lekë të reja pa TVSH (rreth 208 milionë lekë të vjetra me TVSH). Ky projekt, i cili synon përmirësimin e infrastrukturës rrugore në një nga zonat turistike të qytetit bregdetar, është fituar nga kompania JODY-KOMPANY, në pronësi të Simon Çipës dhe Jani Mihës, me një ofertë prej 16,909,160 lekë të reja pa TVSH (rreth 200 milionë lekë të vjetra me TVSH).

Tenderi është zhvilluar përmes një procedure të hapur, por ajo që e bën këtë proces tepër të dyshimtë është fakti se në garë kanë marrë pjesë vetëm dy kompani. Një pjesëmarrje kaq e ulët në një tender të një vlerë kaq të madhe ngre pikëpyetje serioze mbi hapjen reale të konkurrencës dhe transparencën e procesit. Ajo që e bën situatën edhe më alarmante është se firma fituese ka paraqitur ofertën më të lartë nga të dy konkurentët, duke ngritur dyshime se tenderi mund të jetë manipuluar që në fillim për të favorizuar një kompani të caktuar.

Një tjetër tregues i mundshëm për manipulim është diferenca tepër e vogël mes fondit limit dhe ofertës fituese. Oferta fituese prej 16,909,160 lekë të reja pa TVSH përbën 97.1% të fondit limit. Kjo përqindje tepër e lartë është një nga shenjat më të zakonshme të mungesës së një gare reale, pasi në tenderët e ndershëm dhe konkurrues, kompanitë zakonisht paraqesin oferta me diferenca të ndjeshme nga fondi limit për të siguruar një avantazh ekonomik.

Nën drejtimin e Oltion Çaçit, Bashkia Sarandë është përfshirë në disa tenderë të dyshimtë ku fituesit janë shpallur me oferta shumë pranë fondit limit dhe me garë të kufizuar mes pak kompanish. Ky rast i fundit në Kanali i Çukës duket se ndjek të njëjtën skemë, ku një tender me vlerë të konsiderueshme jepet një kompanie të caktuar, duke lënë të kuptohet se fituesi mund të jetë paracaktuar që më parë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit