Policia greke ka shkatërruar një grup kriminal të përfshirë në gjobëvënie ndaj bizneseve në Athinë, duke arrestuar pesë persona, mes tyre tre shqiptarë. Njëri prej tyre, Ukshim Hoti, 41 vjeç nga Tirana, dyshohet të jetë pjesë e grupit famëkeq “Lions”. Së bashku me të janë ndaluar edhe Roland Kadiu, 43 vjeç nga Klosi, dhe Nexhmi Murataj, 42 vjeç nga Kota e Selenicës, si dhe dy shtetas të huaj—një grek 34-vjeçar dhe një egjiptian 38-vjeçar.
Të arrestuarit akuzohen për organizim kriminal, tentativë gjobvënieje, dhunë ndaj zyrtarëve dhe shkelje të ligjeve për armët. Ata u lokalizuan nga policia mbrëmjen e 12 shkurtit në një dyqan në Kato Patisia, Athinë, ku u ndaluan pavarësisht rezistencës së tyre të dhunshme.
Ky grup kriminal operonte në zonat e Patisias, Kypselit dhe Agios Panteleimonas, duke detyruar pronarët e dyqaneve të paguanin shuma të mëdha për “mbrojtje”. Frika dhe dëmet e shkaktuara nga kërcënimet e tyre i kishin penguar bizneset të denonconin.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi dy automjete dhe një motoçikletë, pesë thika të palosshme, dy këllëfa, një pistoletë, jelekë mbrojtës, maska, doreza, shënime me emra dhe shuma parash, tetë celularë dhe 6.900 euro.