Pavarësisht se kanceri është shkaku kryesor i vdekjeve të lidhura me konsumimin e alkoolit në Bashkimin Evropian, ndërgjegjësimi i publikut për këtë rrezik mbetet jashtëzakonisht i ulët.
Një studim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), i kryer në 14 vende të Rajonit Evropian, ka zbuluar një mungesë të madhe të informimit në mesin e popullatës. Vetëm 15% e të anketuarve e dinin se alkooli mund të shkaktojë kancerin e gjirit, ndërsa vetëm 39% ishin të vetëdijshëm për lidhjen e tij me kancerin kolorektal.
Këto dy lloje kanceri përbëjnë përqindjen më të lartë të rasteve të tumorit të gjirit tek gratë dhe atij kolorektal tek burrat, të lidhura me konsumimin e alkoolit në Evropë.
Evropa, përfshirë Shqipërinë, ka nivelin më të lartë të konsumit të alkoolit në botë, duke e tejkaluar dy herë mesataren globale. Sipas të dhënave të OBSH-së, alkooli shkakton rreth 800 mijë vdekje çdo vit në Rajonin Evropian.
Një shqetësim i madh mbetet fakti se shumë vende të rajonit, përfshirë Shqipërinë, ende nuk kanë bërë përparim të rëndësishëm në zbatimin e politikave për reduktimin e dëmit nga alkooli. Aktualisht, etiketat paralajmëruese për rreziqet shëndetësore të alkoolit zbatohen vetëm në 3 nga 27 vendet e BE-së dhe në 13 nga 53 shtetet anëtare të Rajonit Evropian, duke i lënë konsumatorët të pa informuar për rreziqet që përballen.