Ushtria e Izraelit ka lëshuar dy urdhra më 10 shkurt për konfiskimin e më shumë se 10,000 dynym (1,000 hektarë) tokë palestineze në zonat e pushtuara të Bregut Perëndimor.
Duke e quajtur lëvizjen “vendim i përkohshëm ushtarak", ushtria kërkon të sekuestrojë tokat në zonën Tubas dhe disa fshatra në lindje të Ramallah.
Kjo është në fakt mënyra e përdorur vazhdimisht për krijimin e kolonive të reja ilegale izraelite në tokën palestineze dhe rrjedhimisht aneksimin e saj.
Urdhrat shkruanin se ishin lëshuar nga Yossi Segal, përfaqësuesi qeveritar për pronat në Bregun Perëndimor, dhe justifikohej me qëllim kullotjen e bagëtive, shkruan rrjeti MiddleeastEye.
Kohët e fundit kolonët izraelitë kanë zënë zona të gjera në Bregun Perëndimor me pretekstin e kullotjes së bagëtive, duke përdorur praktika si lëshim të lopëve e deleve në zona fushore e malore për të vendosur kontrollin ‘de facto’, dhe për të ndaluar që palestinezët t’i përdorin ato.
Përveç kolonive të ndërtuara në tokat e pushtuara, zënia e kullotave nga kolonët izraelitë është një sfidë serioze për palestinezët që duan të ruajnë tokat e tyre.
Najeh Rustom, kryetari fshatit Kafr Malek, në lindje të Ramallah, tha për rrjetin Middle East Eye se kishte marrë urdhër për konfiskimin e të paktën 1,500 dynym nga tokat e qytezës.
Ai shpjegonte se këto toka përdoren nga komuniteti vendas që kishte kultivuar aty ushqime, para se ushtria izraelite të vinte dhe t’i ndalonte të përdornin tokën, pas nisjes së konfliktit brutal të 7 tetorit.
Palestinezët me të drejtë besojnë se këto konfiskime janë parantesë e procesit të aneksimit.
"Vendimi i Izraelit për konfiskime tokash është vazhdim i politikave ekspansioniste në rajon”, tha aktivisti nga Tubas Arif Daraghmeh, duke shtuar se 42 koloni të reja ilegale izraelite ishin krijuar në luginën e lumit Jordan.
“Edhe për këto koloni fillimisht ishte dhënë urdhri i konfiskimit me pretekste të ndryshme për të marrë kontrollin”, shtoi ai, mbi politikat pushtuese të Izraelit ndaj Palestininës që vijojnë pa u trazuar që prej krijimit të shtetit hebre në 1948.