Shqiptarja fshihet në hotel nga kërcënimet, por hidhet nga dritarja kur e gjen bashkëshorti! E bija: Nuk e ka dhunuar, por…

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 14.02.2025, 17:01

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Janinës, ku një 45-vjeçare shqiptare, e cila më herët kishte denoncuar bashkëshortin për dhunë në familje, është hedhur nga dritarja e një hoteli pasi kuptoi se ai e kishte gjetur vendndodhjen e saj.

Sipas mediave greke, gruaja ndodhet në spitalin e Janinës jashtë rrezikut për jetën, por ka pësuar plagë të rënda.

Ngjarja ka nisur më 11 shkurt, kur 45-vjeçarja iu drejtua autoriteteve për të denoncuar bashkëshortin e saj, me të cilin ka dy vajza, për dhunë në familje. Policia nisi menjëherë kërkimin për të dhe i sugjeroi gruas të instalonte në telefon aplikacionin e butonit të panikut, si dhe të transferohej në një ambient të posaçëm të mbrojtur.

Megjithatë, ajo refuzoi dhe preferoi të qëndronte me vajzat në një hotel në Janinë. Por, mëngjesin e sotëm, teksa ndodhej në dhomë me to, kuptoi se bashkëshorti kishte zbuluar vendndodhjen e saj dhe po e kërkonte në recepsion.

E frikësuar, gruaja u hodh nga dritarja e katit të tretë. Sipas dëshmisë së vajzës së saj, nuk kishte pasur dhunë fizike nga babai, por vetëm kërcënime, të cilat kishin shkaktuar panik tek nëna e saj.

Menaxheri i hotelit ka konfirmuar për mediat greke se burri kishte mbërritur në recepsion duke kërkuar informacion për gruan, por nuk ishte lejuar të merrte asnjë të dhënë. Dyshohet se ai e kishte mësuar vendndodhjen nga një i afërm.

Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit