Një rast i dizenterisë te një fëmijë në qytetin e Laçit ka ngritur shqetësim te institucionet shëndetësore dhe Bashkia Kurbin.
Fëmija, i cili kishte shfaqur temperaturë për disa ditë, është dërguar për trajtim në QSUT, ku pas analizave është konfirmuar i prekur nga kjo sëmundje infektive.
Instituti i Shëndetit Publik ka marrë mostra për analiza dhe ka nisur hetimet për të identifikuar burimin e infeksionit.
Si masë parandaluese, kopshti ku fëmija ishte i regjistruar do të qëndrojë i mbyllur deri në daljen e rezultateve dhe marrjen e masave të nevojshme.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe respektimin e rregullave të higjienës për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.