Fuqia blerëse për një pensionist shqiptar duket se është më e ulëta në Evropë sa i përket raportit të pensionit me të ardhurat në fund të karrierës, edhe pse thuajse një në gjashtë pensionistë në BE janë në rrezik varfërie.
Mesatarisht në BE pensionisti përfiton tre të pestat e të ardhurave nga puna në fund të karrierës, por në disa shtete kjo bie nën 50%, duke e bërë gjithnjë e më sfiduese që pensionistët të ruajnë një standard jetese të denjë.
Në një raport të efektivitetit të sistemeve të pensioneve në shtet të ndryshme, Eurostat tregon nëse pensionet u mundësojnë të moshuarve të ruajnë standardin e tyre të jetesës pas daljes në pension.
Sipas shifrave, në vitin 2023 koeficienti i zëvendësimit në vendet e BE ishte 58%, që do të thotë se një person që ka fituar 100 euro midis moshës 50–59 vjeç, do të marrë 58 euro në pension midis moshës 65–74 vjeç.
Shqipëria shënon një nga koefiçientët më të ulët në këtë aspekt me pensionin që arrin 37% të rrogës së fundit, duke bërë që pensionistët shqiptarë të jenë ndër më të varfrit në Europë dhe në rajon.
Greqia kryeson vendet e BE në këtë aspekt me pensione që arrijnë 78% të rrogës, e ndjekur nga Spanja (77%) dhe Italia (75%).
Portugalia gjithashtu e kalonte mesataren e BE-së me një raport prej 61% të rrogës, ndërsa më tej raporti varionte ky raport varionte nga 35% në Kroaci deri në 50% në Gjermani.
Ndër katër ekonomitë më të mëdha të BE-së, Gjermania kishte normën më të ulët të pensioneve në raport me të ardhurat nga puna në fund të karrierës, vetëm 49%. Ndërkohë, Franca (59%) qëndronte pak mbi mesataren e BE.
Ndër vendet kandidate për në BE, Serbia (46%), Mali i Zi (38%) dhe Shqipëria (37%) kishin gjithashtu norma më të ulëta të zëvendësimit të të ardhurave nga pensionet, duke u përafruar më shumë me vendet e Europës Lindore.