Vjedhja e bujshme e mbi 100 mijë eurove në një banesë në qytetin e Shkodrës ka çuar Policinë në gjurmët e 2 autorëve të dyshuar, që raportohet se janë identifikuar e janë shpallur në kërkim.
Autorët e dyshuar janë Mikel Gjoni dhe Frederik Shkambi, në banesat e të cilëve janë sekuestruar 3 maska, 1 kapuç, 5 celularë, një sasi kanabisi dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Vjedhja ka ndodhur më 12 Shkurt, në banesën në pronësi të mjekes infeksioniste Zhaneta Doçi, në lagjen "Qemal Stafa" të qytetit verior.
Policia e Shkodrës sqaroi se u ushtruan kontrolle në banesat e të dyshuarve dhe u gjetën prova materiale, një pjesë e tyre që besohet se janë përdorur edhe gjatë vjedhjes në shtëpinë e Genc Doçit.
Autoritetet shkruanin në deklaratë:
Të kërkuarit janë F. Sh., 27 vjeç, (Frederik Shkambi) banues në Shkodër, për veprën penale “vjedhja” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim dhe M. Gj., 34 vjeç, (Mikel Gjoni), banues në Shkodër, për veprën penale “vjedhje” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim dhe “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollit në banesën e 27-vjeçarit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 3 maska, 1 kapuç, 5 celularë, 5 palë targa dhe sende të tjera të kundërligjshme, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e 34-vjeçarit kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Materialet e dosjes penale i kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme."