Presidentja e Meksikës ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se strehon kartelet e drogës dhe bashkëpunëtorët e grupeve kriminale të Meksikës në SHBA, në një reagim ndaj akuzave të presidentit Donald Trump për “aleanca të patolerueshme”, mes trafikantëve dhe qeverisë së saj.
“Ka gjithashtu krim të organizuar në SHBA dhe ka amerikanë që vijnë në Meksikë për këto aktivitete ilegale”, tha Claudia Sheinbaum në konferencën e shtypit të mëngjesit të sotëm, teksa shtonte: “Ndryshe kush do të shpërndante fentanilin në qytetet amerikane”.
Sheinbaum i referohej drogës epidemike në SHBA që ka shkaktuar krizë kombëtare varësie dhe vdekje në dhjetra mijëra njerëzve, duke propozuar se zyrtarët qeveritarë janë pjesë e trafikut.
Komentet vijnë pas raportit meksikan se arrestimet e shtetasve amerikanë të lidhur me kartelet meksikane ishin katërfishuar gjatë mandatit të saj, në krahasim me pararendësin Andrés Manuel López Obrador.
Sheinbaum u bëri thirrje Uashingtonit që jo vetëm të punojë kundër karteleve të drogës në Meksikë por të bëjë punën e tij edhe në SHBA për të ndaluar trafikun dhe krizën e drogave në vendin e tyre.
Administrata Trump ka sulmuar vazhdimisht Meksikën duke e fajësuar për trafikun e drogave drejt veriut, veçanërisht të fentanilit.
Trump ka kërcënuar gjithashtu të shtojë tarifat tregtare me 25% të të gjitha mallrave nga Meksika, para se Sheinbaum të pranonte të shtonte 10,000 trupa të tjera ushtarake në kufirin Meksikë-SHBA.
Ekspertët amerikanë thonë se grupet kriminale meksikane janë të shpërndara në SHBA dhe drejtojnë shpërndarjen e drogave, ndërsa për ndalimin e tyre kërkohet bashkëpunimi mes të dy vendeve.
Në konferencë Sheinbaum përmendi gjithashtu konfliktin me grupin teknologjik Google Map që ka riemëruar Gjirin e Meksikës, sipas rekomandimit të Trump, “Gjiri i Amerikës”.
“Është e nevojshme të bëjmë një padi civile. Presidenti Trump nuk ka propozuar riemërimin e të gjithë Gjirit të Meksikës por vetëm pjesën kontinentale, kështu që Google e ka gabim”, shtoi ajo.