Gjykata e Posaçme Anti-Korrupsion e ka quajtur sot të paprecedentë sjelljen e Policisë së Shtetit, e cila nuk reagoi ndaj protestës së organizuar nga mbështetësit e Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, para godinës së saj, kur brenda zhvillohej seanca për masën e sigurisë të kryebashkiakut të akuzuar për korrupsion dhe abuzim me detyrën.
Në deklaratën e gjykatës saktësohet me të drejtë se indiferentizmi i çuditshëm i organeve të rendit, mund të rrezikonte zhvillimet në sallë e madje jetën e gjyqtarëve dhe personelit gjyqësor.
Kjo sjellje e paprecedentë e policisë së shtetit dëshmon mungesën e profesionalizmit dhe standardet e dyfishta të aplikuara nga disa institucione shtetërore, të cilat nuk njohin kompetencat e tyre ose marrin urdhra private në shkelje të procedurave zyrtare, për të mbrojtur klientë ose persona të caktuar interesi.
Si rrjedhim krerët e policisë së shtetit duhet të kuptojnë se nuk mund t’i shërbejnë disa padronëve apo interesave njëherësh, por vetëm atij për të cilin janë betuar të punojnë, popullit dhe të drejtës.
“Nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e saj për të bashkëpunuar me Gardën e Republikës së Shqipërisë, duke treguar një indiferentizëm të pashpjegueshëm në ndjekjen dhe parandalimin e kësaj situate e cila mund të rrezikonte seriozisht jetën dhe shëndetin e gjyqtarëve dhe personelit administrativ. Kjo apati institucionale përbën padyshim një cenim të rëndë të pavarësisë së gjyqësorit. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka konsideruar këtë sjellje të paprecedent të Policisë së Shtetit, të papranueshme dhe në kundërshtim me ligjin”, thuhet në deklaratën e Gjykatës së Posaçme.