Pastrim shtëpie, udhëtime dhe lule: Si e festojnë shqiptarët Shën Valentinin

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 14.02.2025, 12:30

Shën Valentini, edhe pse fillimisht një festë romantike, ka marrë një karakter gjithnjë e më komercial në Shqipëri, duke u kthyer në një mundësi të madhe për bizneset.

Rritja e shpenzimeve për dhurata, organizimin e darkave të veçanta dhe udhëtimet romantike ka nxitur rritjen e çmimeve për produktet dhe shërbimet e lidhura me këtë ditë. Kjo ka krijuar një kulturë të konsumit, ku dashuria shpesh lidhet me shpenzimet, duke bërë që shumë konsumatorë të ndihen të detyruar të shpenzojnë më shumë nga sa kishin planifikuar për të festuar këtë ditë.

Lulet, që janë gjithnjë e më shumë një simbol i kësaj feste, kanë parë rritje të çmimeve çdo vit, ndodhi kjo që është bërë një zakon i zakonshëm para Shën Valentinit. Çmimi mesatar është 3000 lekë/buqeta. Dhurata më e shtrenjtë e viteve të fundit raportohet një tufë trëndafilash të kuq në çmimin e 1000 eurove.

Po ashtu, sektori i parfumerive dhe bizhuterive ka njohur një rritje të kërkesës, ndërsa restorantet ofrojnë menutë speciale për çiftet, me çmime që mund të variojnë nga 40 deri në 150 euro për një darkë.

Agjencitë turistike po ashtu kanë përgatitur paketa për udhëtime romantike, si ekskursione në qytete të njohura evropiane, me çmime që variojnë nga 129 deri në 233 euro për person.

Marketingu luan një rol të rëndësishëm në këtë rritje të konsumit, duke përfshirë reklama, fushata me influencues dhe oferta speciale që tërheqin konsumatorët. Kjo ka bërë që Shën Valentini të kthehet nga një festë e thjeshtë në një ngjarje masive komerciale, duke krijuar mundësi të reja për bizneset.

Përveç dhuratave tradicionale, ka një rritje të interesit për shërbime si trajtime estetike, pastrim profesional shtëpie dhe paketa për çiftet, që reflektojnë një ndryshim në preferencat e konsumatorëve.

Në këtë kontekst, Shën Valentini është bërë një mundësi e madhe për rritjen e shitjeve dhe promovimin e produkteve të reja, duke pasqyruar një ndryshim të dukshëm në mënyrën se si këtë festë e shohin dhe e festojnë shqiptarët.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit