Rritja e pretenduar ekonomike e vendit nuk po përkthehet në kushte më të mira jetese në vend dhe as përmirësim të shëndetit publik, teksa rënia e numrit të lindjeve thellohet nga viti në viti.
Instituti Kombëtar i Statistikave shkruan se në shkallë kombëtare bebet e lindura me 2024 shënuan rënie vjetore me 5 për qind, por në disa qarqe kjo ishte shumë herë më e lartë.
Sipas INSTAT qarku i Gjirokastrës kryesoi për rënien më të madhe të lindshmërisë me shifrën alarmante prej 19% në vitin 2024, teksa gjatë vitit të kaluar lindën vetëm 317 bebe nga 393 më 2023.
Ndërsa krahasuar me vitin 2020 lindjet në Gjirokastër ranë me 37 për qind.
Pas Gjirokastrës rënien më të madhe të lindjeve e kishin qarqet e Beratit me 12.6%, Vlorës me 12.6%, Korçës me 11 dhe Lezhës me 10%.
Rënia e lindjeve ishte e pranishme në të gjitha qarqet, por në disa ishe më e ulët se mesatarja kombëtare. P.sh. në Shkodër lindjet ranë me 0.1% me 2024, në Dibër me -0.3%, në Kukës me -2.7%, në Fier me -3.5% dhe në Tiranë me -4.5%.
Siç shihet nga grafiku i mëposhtëm jugu i Shqipërisë ka norma më të larta të rënies së lindjeve për shkak të strukturës së popullsisë më të plakur.
Pavarësisht emigracionit të lartë të viteve të fundit, veriu vijon të ketë popullsinë më të re në moshë kjo për shkak të tendencës për të lindur më shumë.
E kundërta ka ndodhur me Jugun, ku emigracioni më i hershëm e ka plakur më shpejt rajonin.
Qytetet e Veriut, ndonëse regjistruan rënien më të lartë të popullsisë në periudhën ndërmjet dy censeve kanë sërish një strukturë të popullsisë më të re në moshë se pjesa tjetër e vendit.
Të dhënat nga Censi 2023 në nivel bashkie tregojnë se Hasi dhe Kukësi kanë varësinë më të lartë te të rinjtë me 35 vjeç dhe 33% secila.
Nga ana tjetër Bashkitë e Himarës, Pustecit, Finiqit, Dropullit kanë mbi 60% banorë të moshave mbi 65 vjeç, të cilët përbëjnë mbështetjen kryesore të komunitetit dhe përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë, tregojnë statistikat.