Tragjedia e 17-vjeçares Irsa në Gjirokastër, nxënëse e gjimnazit "Siri Shapllo", ka ngritur një alarm të fortë mbi realitetin e shoqërisë shqiptare, ku bullizimi dhe paragjykimi janë të pranishme kudo. Ajo nuk u pranua nga bashkëmoshatarët e saj vetëm sepse nuk vishej si shumica dhe sepse vinte nga një familje me mundësi modeste.
Por në vend që të respektohej për atë që ishte, ajo u bë objekt talljeje dhe përjashtimi. Shoqëria shqiptare ka një problem të madh: njerëzit e kanë kthyer në normë të merren me jetën e tjetrit, ta gjykojnë për pamjen, për veshjen, për gjendjen ekonomike, etj. Nëse dikush është i heshtur dhe i urtë, në vend që të vlerësohet, shpesh bëhet shënjestër e përbuzjes dhe e thashethemit.
Ky realitet e bën të vështirë për individët të ndihen të pranuar dhe të sigurt në mjedisin ku jetojnë. Në telefonin e saj u gjet një ditar ku ajo shprehte dhimbjen dhe ndjenjën e izolimit:
"O Zot, pse po vuaj kështu vallë? Unë jam kjo që jam, dhe miqtë dhe shokët kërkoj të më respektojnë. Por ata tallen me mua. Unë ndihem kaq e vetmuar dhe e mbytur në vetminë time. Nuk më vjen turp për veshjen time. Kaq mundësi kanë prindërit e mi… Pse duhet të jem kaq e veçuar? Ku të ankohem? Kujt t’i drejtohem? Kujt t’ja hap zemrën time? Tek askush nuk kam besim. Madje as tek psikologia, ndonëse jam hapur. Pse duhet të vuaj? Vallë kjo është jeta?"
Vetmia e saj ishte pasojë e një sistemi që nuk ofron siguri dhe mirëkuptim për të rinjtë. Në vend që shkolla dhe shoqëria të edukojnë për respekt dhe empati, ato shpesh e ushqejnë më shumë fenomenin e bullizmit, duke i lënë viktimat të përballen të vetme me dhimbjen e tyre.
Por kjo ngjarje nuk është e izoluar. Në Shqipëri, duket se vlerat janë përmbysur. Respektohet dhe i hapen dyert atij që është gangster, hajdut, trafikant apo arrogant. Ndërsa ai që studion, punon dhe sheh punën e tij shpesh shihet si "budalla". Shpeshherë, njerëzit e ndershëm, të qetë dhe të sjellshëm ndihen të huaj në shoqërinë tonë, e cila po gërryen çdo ditë shpirtin e shqiptarëve.
Pasi ngjarja u bë publike, Prokuroria e Gjirokastrës regjistroi një procedim penal për veprën penale "Shkaktimi i vetëvrasjes", por kjo nuk e kthen më Irsën pas. Pyetja që mbetet është: a do të ndryshojë ndonjëherë shoqëria jonë? Apo do të vazhdojmë të jetojmë në një sistem që përjashton e vret njerëzit?