Autoriteti i konkurrencës nis hetim monopoli ndaj kompanive celulare “One” dhe “Vodafone”

Shkruar nga: B Shehu | Publikuar më: 13.02.2025, 18:07

Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës njoftoi sot se ka hapur hetim për monopol e rritje çmimesh nga kompanitë e shërbimeve celulare në vend.

Zhvillimi vjen teksa prokuroria e Posaçme po heton influenca të jashtëligjshme ndërmjet kompanisë telefonike “One” dhe shoqërisë së fushatave promocionale “Gogel”, të Arbër Veliajt, vëllait të kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj.

Sipas dokumentave hetimore, kompania “One” ka paguar Arbër Veliaj për marketing dhe promovim, ndërkohë që fiton tendera (pa garë) në Bashkinë e Tiranës, e drejtuar nga vëllai i madh i familjes Veliaj, Erioni.

Institucioni rregullator tha se në mbledhjen e 29 Janarit pranoi hapjen e procedurës së hetimit ndaj ndërmarrjeve Vodafone Albania dhe One Albania, pas rritjeve arbitrare e të pajustifikuara të çmimit të paketave me parapagim gjatë vitit 2024.

Ndërsa rritjet e çmimeve për konsumatorët që duken si të sinkronizuara mes kompanive kryesore Vodafone Albania, dhe One Albania, po hetohen tashmë në bazë të nenit 28 të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Nga vlerësimi i informacionit gjatë monitorimit, u konstatua se sjellja e ndërmarrjes Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA në tregun me pakicë të shërbimeve celulare, përbën kufizim të konkurrencës dhe monopol, në kuptim të nenit 4 dhe nenit 9 të Ligjit nr. 9121, datë 27.03.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Sipas institucionit, tregu i telefonisë celulare ka qenë dhe mbetet një treg në fokus të veçantë të Autoritetit të Konkurrencës, me qëllim mbrojtjen e konkurrencës dhe të konsumatorit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit