Vitet e fundit tregu i pijeve energjike duket se ‘ka shpërthyer’ me fushata agresive reklamash dhe taktika dinake marketingu që bombardojnë adoleshentët duke i gënjyer se marka të caktuara janë “të sigurta, efektive apo krijojnë energji” gjatë stërvitjes.
Ashtu si tregu i ri dhe i pastudiuar i suplementeve dhe multivitaminave, ato reklamohen si “mrekullira” që rrisin performancën fizike apo vigjilencën mendore.
Por në fakt kjo është shumë larg të vërtetës.
Pijet sportive kanë elektrolite dhe rihidratojnë atletët, ndërsa pijet energjike kanë vetëm stimulantë që pretendojnë në mënyrë të rreme se “japin energji” kur ne fakt dehidratojnë trupin, shkruan rrjeti sportiv amerikan NFHS.org.
Një studim madhor në SHBA ka treguar se komplikacionet shëndetësore nga pijet energjike janë dyfishuar nga 5 vitet e fundit, ndërsa një studim mbi adoleshentët sillte shifra alarmuese, duke treguar se 40% e përdoruesve kishin pësuar efekte negative anësore si pagjumësi, aritmi, të vjella apo dhe kriza epileptike.
Kjo tregon influencën e fortë të etiketimit dhe reklamimit te adoleshentët e pafajshëm, si dhe nevojën për të informuar që industria milionere lëshon produktet në treg vetëm për fitimet e saj pa marrë parasysh shëndetin publik, madje në shume raste ajo falsifikon studimet dhe vlerësimet me anë të stimujve financiarë.
Kafeina e përqendruar në këto pije stimulon në ekstrem sistemin nervor dhe kjo zgjat rreth pesë orë, në varësi të moshës e peshës së fëmijëve ose të rriturve. Gjatë kësaj kohe njerëzit mund të ndjehen energjikë por dhe të irrituar e në ankth. Ndërsa marrja kronike e kafeinës ka dëme serioze në sistemin kardiovaskular dhe rrit tensionin e gjakut.
Këto pijë përmbajnë gjithashtu sasi të mëdha sheqeri, disa prej të cilave rreth 20 lugë çaji sheqer në një shishe, duke shkaktuar rritje të tensionit të gjakut , ndryshime të papritura të humorit, agresion, uri të shtuar, shtim në peshë, diabet e obesitet.
Disa pije energjike reklamohen si “sugar-free” ose pa sheqer për t’u dukur si ‘më të shëndetshme’, kur në fakt janë akoma më të dëmshme pasi përdorin ëmbëltues kimikë si aspartame, sucralose (Splenda), saccharin, që shkaktojnë tension të lartë të gjakut, ankth, depresion, anemi dhe infertilitet.
Shëndeti mendor është një çështje e rëndësishme për konsumatorët pasi kafeina e sheqeri krijojnë varësi dhe rënie në ciklin vicioz të sheqerit, sidomos për fëmijët, të rinjtë e adoleshentët.
Pijet energjike kanë pasoja jo vetëm në trupin por dhe në mendjen tonë prandaj të rinjtë duhet të edukohen t’i rezistojnë kulturës së konsumit që komandohet nga fitimet dhe jo mirëqenia e publikut.