Rritje alarmante e infeksioneve respiratore gjatë dimrit 2025

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 13.02.2025, 15:43

Virozat këtë dimër janë bërë më agresive, duke shkaktuar një rritje të ndjeshme të infektimeve dhe një zgjatje të kohëzgjatjes së tyre, çka ka ndikuar negativisht në shëndetin e popullatës.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), numri i infeksioneve respiratore në pesë javët e para të vitit 2025 ka qenë të paktën 40% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Veçanërisht në javën e fundit të janarit, të dhënat tregojnë një rritje prej 44% të rasteve, me rreth 23,400 të prekur më shumë se në të njëjtën javë të vitit 2024.

Të dhënat tregojnë se infeksionet nga virozat kanë shënuar një rritje të lartë gjatë janarit dhe shkurtit 2025, duke arritur pothuajse një dyfishim të rasteve.

Infeksionet respiratore kërkojnë trajtim me medikamente, dhe mjekët e poliklinikave të specializuara për mushkëritë theksojnë se këtë sezon gripi ka qenë veçanërisht agresiv, duke prekur si rrugët e sipërme ashtu edhe ato të poshtme të frymëmarrjes. Simptomat më të zakonshme përfshijnë kollë të fortë, lodhje të vazhdueshme dhe komplikacione të tjera.

Pacientët kronikë kanë qenë më të rrezikuarit, duke pasur nevojë në shumë raste për trajtim me antibiotikë dhe shtrim në spital. Kjo situatë ka rënduar kapacitetet spitalore, veçanërisht në klinikat pediatrike, pasi fëmijët dhe të moshuarit janë grupmoshat më të prekura.

Sipas ISHP-së, qyteti i Durrësit ka raportuar numrin më të lartë të rasteve me infeksione respiratore, i ndjekur nga Tirana, Tropoja dhe Gjirokastra.

Rekomandimet e ekspertëve

Mjekët këshillojnë që personat me sëmundje kronike dhe të moshuarit të shmangin vendet me grumbullime të mëdha për të ulur rrezikun e infektimit.

Instituti i Shëndetit Publik thekson rëndësinë e vaksinimit kundër gripit, duke e konsideruar atë si masën më efektive për parandalimin e sëmundjes. Vaksina e gripit ndihmon në reduktimin e rasteve të sëmundjes, uljen e mungesave në punë dhe shkollë, si dhe parandalon shtrimet në spital.

Vaksinimi rekomandohet veçanërisht për individët me sëmundje kronike si astma, diabeti, sëmundjet kardiovaskulare dhe pulmonare, si dhe për personat mbi 65 vjeç. Përveç vaksinës, përdorimi i ilaçeve antivirale vetëm me rekomandimin e mjekut mund të ndihmojë në lehtësimin e simptomave dhe në shkurtimin e kohëzgjatjes së sëmundjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit