Detaje të reja janë zbardhur rreth plagosjes së ndodhur ditën e sotme në Shkollën e Mesme “Gjergj Kastrioti” në Mat, ku dy nxënës janë përfshirë në një konflikt të dhunshëm.
Sipas informacioneve, i plagosuri është Alban Gjonaj, lindur më 5 shtator 2008, i cili ka marrë plagë në brinjë. Ai është dërguar menjëherë për ndihmë mjekësore në spitalin e Burrelit, por me kërkesë të prindërve ai pritet të transferohet drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, edhe pse mjekët kanë vlerësuar se ai ka kaluar rrezikun për jetën.
Autori i ngjarjes është Donald Lepuri, lindur më 17 janar 2006, një nxënës tjetër i shkollës.
Policia ka ndërhyrë menjëherë dhe ka shoqëruar autorin e dyshuar për të hetuar më tej rrethanat e ngjarjes.
Një nga shqetësimet e ngritura nga ngjarja është mungesa e masave të sigurisë në shkollë. Sipas burimeve, në shkollën “Gjergj Kastrioti” në Baz të Burrelit nuk ka oficer sigurie dhe psikologë për të asistuar nxënësit. Ndërkohë, numri i nxënësve që frekuentojnë këtë shkollë është 96, nga të cilët 35 janë nxënës të shkollës së mesme dhe pjesa tjetër janë nxënës të shkollës 9-vjeçare.
Ky incident ka ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë në shkolla, si dhe për rëndësinë e pranisë së stafit mbështetës dhe masave parandaluese.