Një plagosje me thikë është regjistruar ditën e sotme në Mat ku si rezultat ka mbetur i plagosur një 16-vjeçar.
Ngjarja ka ndodhur në shkollën e mesme “Gjergj Kastrioti” në Baz të Matit, ndërsa të rinjtë raportohet se kanë qenë në lokal kur ka nisur përleshja e rëndë me armë të ftohta.
I plagosuri është dërguar me urgjencë në Spitalin e Burrelit dhe sipas raportimeve po i nënshtrohet një operacioni.
Policia dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e ngjarjes, e cila për fat të keq i shtohet shumë episodeve të tjera të dhunës ekstreme mes adoleshentëve në shkollat shqiptare.
Shkaqet e sakta të këtyre sjelljeve nuk dihen por rritja e egoizmit, materializmit, mospërmbajtjes dhe nxitjes për dhunë te adoleshentët, i atribuohet zakonisht modeleve negative që ata ndjekin në media, shoqëri apo rrjete sociale.