Banorët e fshatit Bukmirë në Rrëshen kërkojnë ndihmën e JOQ për të denoncuar standardin skandaloz të ndërtimit të rrugës që i lidh me qytetin, e cila degradon duke rrëshqitur drejt liqenit.
Çarje, gropa dhe anim i rrugës së re drejt liqenit, presin çdo ditë furgonët e fëmijëve që duhet të shkojnë në shkollë.
Banorët e shqetësuar kërkojnë ndërhyrje ndaj rrugës së ndërtuar vetëm në vitin 2017, e cila me standardet e papërgjegjshme në vend të përmirësojnë jetën e tyre po u shton më shumë frikën e pasigurinë.
Gjendja e shkatërruar e këtij segmenti rrugor vijon prej gati katër vitesh dhe megjithë apelin e banorëve, zyrtarët e zgjedhur ende nuk kanë vendosur të riparojnë gabimet në ndërtimin e saj.
Banorët kanë protestuar para bashkisë Mirditë dhe më herët një nga përfaqësuesit e kompanisë u dha premtimin se aksi rreth 16 kilometra do të rehabilitohet me të gjitha parametrat.
Por për fat të keq rruga e re që lidh disa fshatra degradon çdo vit sidomos pas sezonit të reshjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.
Banorët kërkojnë që autoritetet të kryejnë detyrën e tyre në shërbim të komunitetit dhe jo të bëjnë punime të dobëta me profesionistë të paaftë, që vënë në rrezik vendasit.
Raportimi i qytetarit:
“Pershendetje JOQ a mundesh te postosh disa video e foto qe po te dërgoj. Banorët e fshatit Bukmirë ankohen për rrugën Rrëshen-Bukmirë që po ikën dita-ditës dhe po rrezikohet jeta e banorëve”