Një zyrtar i lartë i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU) është arrestuar nën dyshimin se ka punuar si agjent i Rusisë.
Megjithëse SBU nuk e ka bërë publik emrin e tij, mediat ukrainase raportojnë se bëhet fjalë për kolonelin Dmytro Kozyura, shef i stafit të qendrës kundër terrorizmit. Pamjet nga arrestimi e tregojnë atë të prangosur, ndërsa kreu i SBU-së, Vasyl Malyuk, e shoqëronte gjatë operacionit.
Sipas SBU-së, zyrtari kishte transmetuar informacione sekrete në Rusi në të paktën 14 raste. Arrestimi u mundësua pas një hetimi të gjatë, që përfshinte përgjime audio dhe video, si dhe akses në telefonat dhe kompjuterët e tij.
Kozyura dyshohet se është rekrutuar nga Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) në Vjenë në vitin 2018 dhe ka qëndruar "i fjetur" për disa vite, deri kur kontaktet me të u rikthyen në dhjetor të vitit të kaluar.
"Kemi mundur të depërtojmë në pajisjet e tij përmes programeve të koduara dhe kemi monitoruar çdo lëvizje të tij," deklaroi Malyuk. Ai shtoi se gjatë hetimeve, Ukraina i ka transmetuar qëllimisht Moskës informacion të rremë për të destabilizuar kundërshtarin.
"SBU-ja po pastrohet nga tradhtarët," theksoi Malyuk, duke paralajmëruar se çdo përpjekje e armikut për të infiltruar shërbimet sekrete do të dështojë.