Turistët braktisin Tiranën, konsumi në bare e restorante bie me 20% krahasuar me vjet

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 12.02.2025, 20:47

Kryeqyteti po përballet me një rënie të ndjeshme të konsumit në bare dhe restorante, duke reflektuar mungesën e turistëve dhe dobësimin e fuqisë blerëse të vendasve. Sipas Enri Jahjës, kryetarit të Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, krahasuar me janarin e vitit të kaluar, konsumi ka rënë me 20%, një goditje e rëndë për bizneset e këtij sektori.

Në vitin 2024, Tirana përjetoi një fluks të pazakontë turistësh në muajin janar, por ky trend nuk është përsëritur në 2025. Ekspertët e sektorit fajësojnë mungesën e turistëve të huaj dhe emigrimin masiv të vendasve si faktorët kryesorë për këtë tkurrje ekonomike.

“Turistët e huaj që vitin e kaluar konsumonin në baret dhe restorantet e Tiranës nuk janë më. Po ashtu, edhe vendasit po kufizojnë shpenzimet për shkak të çmimeve të larta dhe emigracionit në rritje,” deklaroi Jahja për mediat.

Situata është aq e rënduar sa në disa qytete bregdetare, si Lezha, Vlora dhe Saranda, bizneset e shërbimit ushqimor kanë vendosur të mbyllen përkohësisht, duke pritur sezonin e verës për t’u rihapur.

Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i bareve dhe restoranteve në vend ka pësuar rënie të ndjeshme vitet e fundit. Nga 22 mijë njësi në vitin 2015, sot operojnë vetëm 15,500, ndërsa sektori vazhdon të përballet me mungesë të madhe fuqie punëtore dhe probleme me informalitetin e pagave.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit