Një ngjarje tragjike ka ndodhur këtë të mërkurë në Tiranë, ku një pacient është hedhur nga lartësia e spitalit “Shefqet Ndroqi”, i njohur ndryshe si sanatoriumi i Tiranës dhe ka humbur jetën.
Pacienti me inicialet M.K., ishte shtruar që prej të dielës në spital për trajtim të sëmundjeve kronike obstruktive pulmonare, insuficiencë respiratore dhe hipertension arterial.
Spitali “Shefqet Ndroqi” shprehet se pacienti nuk ka shfaqur në asnjë çast probleme të shëndetit mendor. Megjithatë, ende nuk dihet se cila ka qenë arsyeja që e ka shtyrë 75-vjeçarin drejt aktit ekstrem.
“Ngushëllime të sinqerta familjes së pacientit 75-vjeçar, M.K, i cili ka ndërruar jetë në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, pavarësisht kujdesit dhe përpjekjeve maksimale të ekipit mjekësor.
Pacienti u shtrua ditën e diel me sëmundje kronike obstruktive pulmonare, insuficiencë respiratore dhe hipertension arterial. Gjatë gjithë trajtimit, ai ka qenë nën monitorim të vazhdueshëm dhe nuk ka shfaqur në asnjë moment probleme të shëndetit mendor.
I shprehim ngushëllimet tona familjes dhe sigurojmë publikun se ekipi mjekësor ka ndjekur të gjitha protokollet mjekësore për trajtimin dhe kujdesin maksimal ndaj pacientit", reagoi spitali “Shefqet Ndroqi”.
Ndërkohë grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e plota të rastit.