Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Gjirokastrës disa ditë më parë. 17-vjeçarja Irsa Muçollari i dha fund jetës si pasojë e bullizmit të vazhdueshëm që përjetonte nga shoqëria e saj në shkollë.
Në ditën kur mori vendimin fatal, Irsa ishte larguar tre herë nga shkolla dhe ishte nisur drejt shtëpisë, ku çdo herë kishte gjetur të atin në banesë. Ajo e kreu aktin tragjik në dhomën e saj, duke lënë pas një letër prekëse, ku shprehte dhimbjen dhe vetminë që ndiente.
“O Zot, pse po vuaj kaq shumë? Jam kjo që jam dhe dua që miqtë dhe shokët të më respektojnë, por ata vetëm tallen me mua. Ndihem e vetmuar dhe e mbytur në vetminë time. Nuk më vjen turp për veshjen time, sepse kjo është mundësia që kanë prindërit e mi, babai im që kujdeset aq shumë për mua, po aq sa dhe nëna ime. Por pse duhet të jem kaq e veçuar? Ku të ankohem? Kujt t’i drejtohem? Kujt t’ia hap zemrën time? Nuk kam besim tek askush, madje as tek psikologia, ndonëse jam përpjekur të hapem. Pse duhet të vuaj? A është kjo jeta?”, shkruante ajo në letrën e saj, të cilën e kishte shkruar në anglisht dhe e kishte fshehur në kapakun e celularit.
Autoritetet kanë nisur hetimet dhe kanë marrë në pyetje stafin pedagogjik të gjimnazit “Siri Shapllo”, ku Irsa studionte, si dhe bashkëmoshatarët e saj, për të hedhur dritë mbi rrethanat që e çuan të renë drejt këtij vendimi tragjik.