Sulmet e Ramës ndaj sistemit gjyqësor, reagon KLGJ: Ndalni presionin ndaj drejtësisë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 12.02.2025, 15:23

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me çështjen ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, duke shprehur shqetësim për sulmet ndaj Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) dhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Në një deklaratë për mediat, KLGJ sqaron se ka ndjekur me vëmendje deklaratat e bëra nga aktorët politikë dhe të tjerë, të cilat, sipas tij, prekin figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve të GJKKO-së.

KLGJ thekson gjithashtu se çdo tentativë për të cënuar pavarësinë e gjyqësorit është një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit, duke theksuar se mbrojtja e këtyre parimeve është jetike për funksionimin e një shteti të drejtë.

"Këshilli i Lartë Gjyqësor ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në lidhje me deklaratat e bëra nga persona të veshur me pushtet, ekzekutiv apo politik si edhe media të caktuara, të cilat prekin figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve pranë gjykatave të posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar. KLGJ mban qëndrimin se çdo përpjekje për të cenuar pavarësinë e gjyqësorit, nëpërmjet trysnisë apo presionit të çfarëdo lloji, përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Këshilli në përmbushje të angazhimeve të tij ligjore, ju bën thirrje të gjithë aktorëve që të shmangin trysninë në formën e deklaratave, citimeve apo aludimeve që cenojnë gjyqtarët për shkak të ushtrimit të funksionit.

Në një shtet të së drejtës, pavarësia e gjyqësorit është një ndër shtyllat themelore për garantimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Gjyqtarët duhet të jenë të lirë nga çdo lloj forme që ndërhyn në vendimmarrje, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Këshilli thekson se në një shtet që është duke përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE, mënyra e vetme e kundërshtimit të një vendimmarrjeje gjyqësore duhet të jetë përmes ushtrimit të mjeteve ligjore, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë".

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit