Pak muaj më parë, Cirku Kombëtar festoi 65 vjetorin e krijimit, në një përvjetor që i gjeti artistët pa një shtëpi të tyre pasi godina që ndodhej në afërsi të qendrës së Tiranës u shemb në 2021 për t'i rikthyer truallin pronarit.
Në këtë situatë, artistët e cirkut janë të detyruar t’i realizojnë shfaqjet në ambiente të ndryshme që nuk janë aspak të përshtatshme për ta dhe nuk ofrojnë asnjë lloj kushti për përgatitjen e tyre.
Në një denoncim të mbërritur në redaksinë tonë, artistët dhe punonjësit e Cirkut Kombëtar ankohen për kushtet e punës dhe mjediset e papërshtatshme ku ata janë të detyruar të punojnë. Sipas tyre mjediset për artistët e cirkut nuk përfshijnë as kushtet minimale, higjienë dhe ujë të pijshëm.
Fotot e mëposhtme shfaqin ambiente të lagështa, pa banjo dhe pa kushte minimale për të siguruar një mjedis të shëndetshëm për ata që punojnë atje. Gjithashtu, në këto kushte të papranueshme, ka edhe fëmijë të studios së cirkut që detyrohen të punojnë e ushtrohen.
Për më tepër, sipas denoncimeve, titullarja e këtij institucioni, Jehona Varfi u ka kërkuar punonjësve të përdorin banjot e lokaleve përreth për të kryer nevojat e tyre, një praktikë që ka shkaktuar indinjatë dhe ka nxjerrë në pah mungesën e përgjegjësisë ndaj kushteve të punës.
Ky shqetësim ka ngritur pyetje të shumta mbi udhëheqjen e këtij institucioni, dhe nevojën për një rishikim të menjëhershëm të kushteve të punës për artistët, fëmijët dhe gjithë ata që kontribuojnë në këtë sektor.
Denoncimi i plotë:
Pershendetje, doja te ndaja me ju dhe publikun nje shqetesim te madh ne lidhje me Cirkun Kombetar. Videot dhe fotot qe do ju dergojme me posht jane kushtet ku detyrohen artistet dhe te gjithe punonjesit e Cirkut te punojne. Po ne keto kushte, pasdite jane dhe femijet e studios se cirkut, ambjente keto pa banjo, pa uje dhe ne lageshtire. Dhe pa piken e turpit Titullari I ketij Institucioni I thote punjonjesve te shkojne ne banjot e lokaleve perreth.