Biznesmeni oligark, Gentian Sula ka mbërritur këtë mëngjes në Gjykatën e Posaçme për të marrë pjesë në seancën e caktuar për verifikimin e masës së sigurisë.
Sula do të njihet sot me masën e sigurisë, së bashku me oligarkët e tjerë: Shkëlqim Fusha, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi e Sokol Kryeziu, pasi akuzohen për korrupsion aktiv.
Në hyrje të gjykatës, ai u pyet nga gazetarët nëse kishte ndonjë koment për rastin e tij, dhe përgjigja e tij ishte: “Më vjen keq që lodheni që në mëngjes”.
Sula njihet si oligark qeveritar më shumë se lokal pasi të gjitha përfitimet e kompanive të tij i ka nga institucionet qeveritare. Ai është një nga oligarkët që është denoncuar në shumë artikuj nga JOQ ALBANIA pasi ka marrë edhe shumë leje ndërtimi të rëndësishme, ku një prej tyre është edhe betonizimi i liqenit të Farkës.
Sulaj njihet edhe si oligarku i Kodrës së Diellit, pronar i disa bizneseve dhe përfitues i madh i tenderave publik të Bashkisë Tiranë, e jo vetëm.
Në dosjen e SPAK flitet për lidhjen e kryebashkiakut me Gentian Sulën, i cili është pronar i shoqërisë tregtare “AGI CONS”. Në dosje thuhet se sipas kallëzuesit në kohën që Veliaj u emërua Ministër i Punës, bleu një pasuri të banesë, në bllokun rezidencial “Kodra e Diellit”, në pronësi të Sulës. Pas kësaj bashkëshortja e biznesmenit u emërua tek zv. Ministre tek Ministria ku ishte Veliaj titullar.
Më tej thuhet se pas blerjes së banesës dhe emërimit në fjalë, që prej asaj kohe marrëdhënia e Veliajt dhe Sulës është e pandarë. Shoqëria “AGI KONS” e biznesmenit ka përfituar një pafundësi ndërtimesh në Tiranë, si shkollën tek ish-Sheshi Shqiponja, Parkun Rinia, Operan, Maternitetin, Spitalin e ri, Godina tek Universiteti Bujqësor dhe tani flitet edhe për Teatrin Kombetar. Në dosje thuhet gjithashtu se Veliaj, aktualisht posedon tre vila në Fshatin Rezidencial në Qerret Kavajë, të cilat janë ndërtuar nga kompania e Sulës. Një nga këto vila posedohet nga vëllai i kryebashkiakut, ndërsa sipas kallëzuesit vlera e vila kap shifrën e 500 mijë eurove.