Shqiptari kriminel i shpëton deportimit pasi i biri pëlqen kotoletat angleze të pulës

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 12.02.2025, 10:19

Një shqiptar është lejuar të qëndrojë në Britani pjesërisht sepse djali i tij 10-vjeçar nuk i pëlqen kotoletat e pulës nga vende të tjera jashtë Britanisë.

Emigracioni vendosi se do të ishte “tejet e ashpër” si masë që fëmija të deportohej në Shqipëri me babanë e tij, dhe kjo për shkak të ndjeshmërisë së tij ndaj ushqimit, si dhe nevojave të tjera “shtesë”.

Babai, Klevis Disha, 39 vjeç, apeloi me sukses kundër dëbimit të tij në një gjykatë të shkallës së ulët për emigracionin, ku mospëlqimi i djalit të tij për kotoletat jovendase të pulës u përmend si i vetmi shembull i vështirësive të tij me ushqimin.

Rasti u përqendrua gjithashtu në nevojat e djalit lidhur me çështjet shqisore dhe vështirësitë në komunikimin e emocioneve.

Sekretari i Drejtësisë, Robert Jenrick, i tha The Telegraph se ishte “marrëzi”, “qesharake” dhe “skandaloze” që ushqimi ishte përdorur si argument për të penguar dëbimin.

Sekretari i Brendshëm, Chris Philp, gjithashtu e kritikoi vendimin, duke pretenduar se kriminelët e huaj po “shfrytëzojnë ligjet e të drejtave të njeriut dhe gjyqtarët e dobët”.

Gjykatësi që shqyrtoi çështjen e lejoi apelin e Dishës me argumentin se dëbimi i tij do të shkelte të drejtën për jetën familjare sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR), duke përmendur ndikimin që largimi i tij mund të kishte te djali.

U përmendën gjithashtu nevoja të tjera për djalin, duke argumentuar se ai do të vuante nëse do të qëndronte në Mbretërinë e Bashkuar i ndarë nga babai ose nëse do të detyrohej të shkonte në Shqipëri.

Gjykatësit iu tha gjithashtu se ishin hartuar plane arsimore për të mbështetur procesin e të mësuarit të djalit, ndonëse ai nuk kishte një diagnozë zyrtare për nevoja të veçanta arsimore.

Avokatët e Dishës thanë se djali, gjuha e parë e të cilit është shqipja, kishte gjithashtu vështirësi me disa veshje, veçanërisht çorapet, dhe me disa lloje ushqimesh që mund ta bënin të ngurtësohej.

Duke përdorur një emër të rremë dhe duke pretenduar se kishte lindur në ish-Jugosllavi, Disha, 39 vjeç, hyri ilegalisht në Britani në vitin 2001 si një i mitur i pashoqëruar, 15 vjeç.

Pavarësisht se kërkesa e tij për azil u refuzua, ai fitoi shtetësinë britanike në vitin 2007 pasi iu dha leje e jashtëzakonshme për të qëndruar, e ndjekur nga një leje e përhershme qëndrimi.

Së bashku me partneren e tij, një shqiptare tjetër që mori shtetësinë britanike në vitin 2006, ai pati dy vajza dhe një djalë.

Megjithatë, Disha u dënua me dy vjet burg pasi u kap me 250,000 paund para cash, përfitime nga aktiviteti kriminal, në shtator 2017.

Në atë kohë, ish-sekretarja e Brendshme, Priti Patel, kërkoi që ai të deportohej në Shqipëri dhe t’i hiqej shtetësia britanike, pasi ajo ishte fituar nëpërmjet mashtrimit.

Disha më pas apeloi ndaj dëbimit të tij dhe u mbështet nga një gjykatës, i cili argumentoi se do të ishte “tejet e ashpër” të deportohej djali i tij ose të ndahej nga babai.

Megjithëse apeli u miratua, gjykatësi David Merrigan në tribunalin e shkallës së lartë nuk ishte dakord me vlerësimin se nevojat shtesë të djalit nuk mund të plotësoheshin nëse ai shkonte në Shqipëri.

Ai e ka kthyer çështjen për ta rishqyrtuar nga një gjykatës tjetër në tribunalin e shkallës së ulët për të vendosur nëse çështja e nuggetsave të pulës do të ishte një arsye “tejet e ashpër” për një fëmijë 10-vjeçar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit