Kandidati për kryeministër nga Koalicioni AAK-Nisma, Ramush Haradinaj ka reaguar pasi edhe dy ditë pas zgjedhjeve të rregullta parlamentare në Kosovë ende nuk dihet rezultati final.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se kjo ka ndodhur për herë të parë në histori të Kosovës dhe sipas tij është pasojë e drejtpërdrejtë e zëvendësimit të kuadrove profesionale me militantë partiakë dhe angazhimi i kompanive të teknologjisë informative përmes tenderëve të dyshimtë njëburimor.
“Raportimet që po marrim nga terreni dëshmojnë për një skemë të organizuar të manipulimit të rezultateve zgjedhore. Përmes kontrollit politik të KQZ-së dhe ‘sistemit të dështuar teknik’ i cili po ndodh qëllimshëm, po tentohet të ndryshohet vullneti i qytetarëve. Kjo është goditje e rëndë ndaj demokracisë dhe vlerave për të cilat kemi luftuar. Ne qëndrojmë të palëkundur në mbrojtje të votës së lirë dhe sistemit demokratik. Nuk do të lejojmë që vota e qytetarëve të tjetërsohet përmes skemave manipulative. Do të përdorim të gjitha mekanizmat institucionalë dhe ligjorë për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e sovranit”, ka shkruar Haradinaj.
Ai i ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që me urgjencë të marrin masa dhe të hetojnë manipulimet e deritashme dhe të parandalojnë degradimin e mëtejshëm të procesit.