180 arrestime në Palermo, mes tyre edhe bosët e Casa Nostra-s

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 11.02.2025, 18:34

Një operacion i madh i Drejtorisë Antimafia të Palermos, ku morën pjesë mbi 1200 karabinierë, ka çuar në arrestimin e 181 personave, mes të cilëve edhe bosë mafiozë nga zona të ndryshme të kryeqytetit sicilian dhe provincës.

Hetimet kanë zbuluar strukturën organizative të familjeve kryesore mafioze, aktivitetet kriminale të klaneve dhe përpjekjet e Cosa Nostra për të rindërtuar kupolën provinciale, duke sfiduar autoritetet që, vitet e fundit, kanë çuar në burgosjen e mijëra anëtarëve të saj.

Rrethet kryesore të përfshira në hetim janë Santa Maria di Gesù, Porta Nuova, San Lorenzo, Bagheria, Terrasini, Pagliarelli dhe Carini.

Të arrestuarit akuzohen, në shkallë të ndryshme, për pjesëmarrje në organizatë kriminale të tipit mafioz, tentativë vrasjeje, zhvatje—kryer ose në tentativë—me metoda mafioze, shoqatë kriminale për trafikimin e paligjshëm të narkotikëve, si dhe krime kundër pronës, kundër personit dhe përfshirje në lojëra të paligjshme të fatit.

Hetimet zbuluan se bosët e mafies kishin krijuar një sistem të ri komunikimi për të riorganizuar komisionin krahinor, i cili ishte goditur rëndë nga arrestimet e dhjetorit 2018. Edhe nga burgu, liderët e organizatës përdornin karta mikrosim dhe celularë të koduar, të futur ilegalisht në qeli, për të komunikuar dhe dhënë urdhra pa u diktuar.

Disa nga të arrestuarit ishin përpjekur të fshiheshin. Kunati i bosit mafioz Nunzio Serio, pasi kishte zbuluar një pajisje gjurmimi GPS në makinën e gruas së tij dhe dyshonte se ndaj tij do të lëshohej një urdhër arresti, u largua nga Palermo për t’u fshehur në veri të Italisë. “Të gjithë jemi duke u bombarduar”, u shpreh ai.

Një tjetër bos mafioz, pasi i shpëtoi ndjekjes nga një patrullë e Gardës së Financës, kishte planifikuar të largohej jashtë vendit së bashku me familjen dhe të siguronte pasuritë e grumbulluara përmes lojërave të fatit online. “Duhet të iki nga këtu… Duhet të ndërroj vendbanim… Po largohem…”, kishte thënë ai, duke shtuar se Italia ishte bërë një vend i pakëndshëm për ta.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit