Policia Kufitare e Portit të Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Porosia”, duke goditur një rast kontrabande të pajisjeve elektronike.
Gjatë kontrollit të një kamioni në hyrje të Shqipërisë, shërbimet policore gjetën 23 celularë iPhone 16 Pro Max dhe 2 laptopë, të cilët nuk dispononin fatura blerjeje dhe dyshohet se janë kontrabanduar nga Gjermania.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan Afrim Ukperja, 43 vjeç, drejtuesi i kamionit, dhe Amarildo Hamzai, 35 vjeç, personi për llogari të të cilit dyshohet se po transportoheshin pajisjet.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, A. H. është djali i pronarit të kamionit dhe njëkohësisht personi që priste pajisjet e kontrabanduara.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për hetime të mëtejshme.