Presidenti amerikan, Donald Trump, ka dërguar një mesazh urimi për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë, e cila shënohet më 15 shkurt. Në letrën e tij, Trump ka theksuar pritshmëritë për forcimin e partneritetit mes dy vendeve dhe rritjen e sigurisë për qytetarët e të dyja shteteve.
Vuçiç e ka bërë publike këtë letër përmes një postimi në rrjetet sociale, duke ndarë përmbajtjen e saj me ndjekësit e tij.
“Vlerësojmë jashtëzakonisht shumë kontributin e Serbisë në sigurinë ndërkombëtare, qoftë përmes mbështetjes ndaj popullit të Ukrainës në mbrojtje nga agresioni rus, apo përmes angazhimit të saj në misione të shumta paqeruajtëse anembanë botës,” thuhet ndër të tjera në mesazhin e Trumpit.
Serbia, pavarësisht presionit nga vendet perëndimore, ende nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë. Megjithatë, në Kombet e Bashkuara ka votuar në favor të rezolutave që dënojnë pushtimin rus.
Trump ka nënvizuar se Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e Serbisë për integrim euroatlantik, si dhe angazhimin e saj për zhvillimin e marrëdhënieve paqësore dhe të begata me fqinjët dhe partnerët rajonalë.
"Mezi pres të forcojmë më tej partneritetin tonë, duke u mbështetur në lidhjet gjithnjë e më të fuqishme mes vendeve tona, për të kontribuar së bashku në rritjen e sigurisë dhe përparimin e qytetarëve të Serbisë dhe SHBA-së," theksoi Trump.
Presidenti amerikan vuri në dukje gjithashtu bashkëpunimin në rritje mes dy vendeve dhe mundësitë e reja për investime në sektorë strategjikë, si teknologjia dhe energjia.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), për shkak të lidhjeve të saj me kompaninë ruse Gazprom Neft, me synimin për të kufizuar burimet financiare të Rusisë në luftën kundër Ukrainës.
Vuçiç ka qenë ndër liderët e parë botërorë që ka zhvilluar një bisedë telefonike me Trumpin pas fitores së këtij të fundit në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit. Pas kësaj bisede, Vuçiç deklaroi se ishte “mirënjohës” që Trump kishte njohuri të thelluara mbi Serbinë.
Gjithashtu, Serbia ka nënshkruar një kontratë me kompaninë e dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner, në maj të vitit 2024, për rivitalizimin e kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm në Beograd, i dëmtuar gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.
Ndryshe nga urimet e viteve të kaluara, këtë herë në mesazhin e Trumpit nuk është përmendur dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Që nga viti 2011, të dyja palët po zhvillojnë negociata të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, duke arritur disa marrëveshje, prej të cilave jo të gjitha janë zbatuar. BE-ja vazhdon të nënvizojë se progresi në dialog është kyç për rrugën e Serbisë dhe Kosovës drejt integrimit euroatlantik.