Prokuroria e Tiranës njoftoi sot se ka përfunduar hetimet për vrasjen tragjike të 14-vjeçarit Martin Cani dhe ka dërguar në gjyq autorin e dyshuar Mario Përlleshaj.
Gjithashtu organi i akuzës është vendosur ngritjen e një procedimi të veçantë lidhur me veprimet apo mosveprimet nga disa anëtarë të stafit të shkollës, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.
Zyrtarët shtojnë se për procedimin e stafit të shkollës hetimet vazhdojnë pasi është e domosdoshme individualizimi i fajësisë dhe përgjegjësive penale konkrete.
Incidenti tragjik që shokoi opinionin dy javë më parë ndodhi në afërsi të shkollës “Fan Noli” menjëherë pas përfundimit të mësimit, në vijim të një konflikti që kishte nisur disa ditë më herët mes të miturve.
Sipas të dhënave, i dyshuari kishte thirrur një shok të tij nga shkolla “Fan Noli,” ndërsa viktima, Martin Cani, kishte kërkuar ndihmën e një shoku nga shkolla “Mustafa Qemal Atatürk”, i cili si viktima, ishte pjesë e ekipit U-15 të Dinamos.
Përleshja përfundoi në mënyrë tragjike: Martin Cani humbi jetën, ndërsa shoku i tij u plagos. Edhe i dyshuari raportohet se mbeti i plagosur dhe pas ngjarjes u largua me shpejtësi në drejtim të Pazarit të Ri, ku të njohurit e ndihmuan për ta transportuar në një spital privat.