Zëdhënësi qeveritar rus Dmitry Peskov reagoi sot ndaj deklaratës së presidentit amerikan Trump që tha se “Ukraina mund të bëhet një ditë ruse”, duke thënë se “një pjesë e madhe e Ukrainës në fakt e dëshiron këtë”.
Deklaratat në dukje të palogjikshme nga të dyja palët, tregojnë mospërfillje totale të vullnetit dhe mirëqenies së popullit të Ukrainës që vuan pasojat e konfliktit brutal mes superfuqive.
"Është e qartë se një pjesë e madhe e Ukrainës dëshiron të bëhet Rusi. Kjo ka ndodhur në terren, me zgjedhjet në katër rajonet e reja ruse”, tha Peskov në takimin e përditshëm me gazetarët në Moskë.
Ai i referohej rajoneve të aneksuara të Donetsk, Kherson, Luhansk, e Zaporizhia ku u kryen referendumet nga administrata e kontrolluar nga rusët, të cilat nuk njihen nga komuniteti ndërkombëtar.
Më tej ai iu referua komenteve të Trump një ditë më parë. "Kjo korrespondon me fjalët e presidentit amerikan pasi njerëzit atje qëndruan në radhë për të votuar bashkimin me federatën ruse.”
I pyetur për mundësitë që kjo të ndodhë në të vërtetë, Peskov tha se “çdo event ndodh me probabilitet 50% — ose po ose jo."
Më herët Trump tha për mediat se Ukraina "mund të bëhet Rusi," teksa shtoi se dëshironte të gjitha paratë e shpenzuara nga SHBA atje t’i ktheheshin vendit, ose ndryshe në formën e metaleve të rralla nga nëntoka e Ukrainës, shkruan rrjeti turk Anadolu.
Peskov tha se nuk dinte gjë për marrëveshje të ofruara nga SHBA për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, por më herët në ministrinë e jashtme të Rusisë kishte mbërritur ambasadori amerikan i Lindjes së Mesme, Lynne Trace.
I pyetur për vizitën, Peskov, përsëri tha se nuk kishte informacion dhe nuk kishte kontaktuar me të./Anadolu/