“Peshku qelbet nga koka”-thotë populli.
Kjo shprehje duhej aplikuar parimisht edhe në goditjen e qeveritarëve të korruptuar nga i prezumuari sistem i pavarur i drejtësisë në vend.
Por siç dihet rëndom se si funksionojnë gjërat, në Shqipërinë e Rilindur “peshku qelbet nga luspat”, ndërsa “koka” bën “kurban” “luspat” e trupit të tij për llogari të vet.
Sa ishte çmimi i bërjes “kurban” të Erion Veliajt e për llogari të kujt?!
Dita e sotme nisi me një skenë aktrimi që mori vëmendjen e gjerë mediave me qëllimin për të krijuar në publik idenë e “të ardhurit keq” për “kurbanin” me deklaratat e ndjeshme se kush do e çojë të birin në shkollë.
Logjika është e thjeshtë. Me apo pa Veliajn, PS jo vetëm që nuk humbet votat e patronazhistëve besnikë të sistemit, të rrënjosur me frikë e qoka, por përkundrazi, më të larta janë shanset të fitohet elektorati gri kur “djeg si kartë” në parti një figurë që jepte shije të keqe në përfytyrimin e popullit, e kjo për më tepër kur opozitës i hahet hallva çdo 4 vite.
“Përgjegjësia është individuale”, ashtu si për çdo funksionar të lartë të PS pas hekurave, historia e të cilit është harruar 3 ditë më pas dhe është zhytur i etiketuar nga opinioni publik si “hajduti” me të gjithë peshën e vjedhjes së miliardave të Rilindjes ndër vite. Duhej një çlirim valvule pikërisht para zgjedhjeve për të kënaqur popullin, dhe kjo u arrit.
Duhej bërë një sakrificë e madhe për të pasur një përfitim akoma më të madh. E në këtë rast duhej ruajtur i paprekshëm imazhi i “drejtësisë super-heroike të pavarur” pas lajmeve se SPAK financohet nga qeveria. Dhe kjo mund të realizohej vetëm me bërjen “kurban” të Erion Veliajt.
Çdokush e di se asnjë lëvizje në parti nuk bëhet pa miratimin e të madhit, të gjithë janë në dijeni se çdo pazar tenderash kalon me një % të madhe nga Rama, çdo i brendshëm e dinte se Rama nuk do e zgjidhte si pasardhës në parti Veliajn pasi e shikonte si eksponent me rrezik “për të vrarë babain” , e preferonte të kishte krah të djathtë seksin femër, ministreshat e dominueshme e të kontrollueshme me një shikim.
Por askush nuk guxon kush të hedhë sytë ndaj këtyre të fundit e me shumë gjasa as nuk do i vijë radha pasi së pari janë seksi i brishtë e askush nuk merret me gjininë femërore pasi nuk kanë material për t’u bërë kurban, e së dyti janë bashkëpunëtoret e aferave më të mëdha e të padiktueshme të liderit.
Me rregull treshi, zgjedhjet në xhep, drejtësinë vegël, Veliajn “kurban”, populli i shfryrë, e koka e peshkut me të vegjlit e tij duke lundruar e ushqyer të qetë në oqeanin e gjerë të taksave publike të qytetarëve.