Avioni privat i vokalistit të grupit legjendar Motley Crue është përplasur mbrëmë papritur në aeroportin e Arizona, duke lënë të vdekur pilotin e duke plagosur tre të tjerë në bord.
Vokalisti kryesor i Mötley Crüe, Vince Neil nuk ishte në avion por të plagosur mbetën e dashura e tij Rain Andrean, një mik i këngëtarit dhe piloti i dytë.
Avioni privat i Neil, tip Learjet 35A, vinte nga Austin, Texas, por humbi kontrollin në pistën e uljes duke u përplasur me një avion të parkuar në Scottsdale, thanë përfaqësuesit e aeroportit.
Aeroporti i Scotsdale përdoret shpesh nga të pasurit që hyjnë e dalin nga zona e Phoenix veçanërisht gjatë fundjavave të eventeve sportive.
Përfaqësuesi i zjarrfikësave Dave Folio tha se dy nga të plagosurit ishin në gjendje të rëndë ndërsa i treti në gjendje të stabilizuar.
Në një deklaratë në rrjetet sociale nga avokati i këngëtarit thuhej se avioni i tij po përpiqej të ulej kur ndodhi përplasja.
“Për arsye aktualisht të paditura avioni doli nga pista e uljes duke u përplasur me avionin e parkuar. Nuk ka më shumë detaje aktualisht teksa situata është ende në zhvillim. Lutjet tona shkojnë me njerëzit e përfshirë në incident dhe falenderojmë grupet e shpëtimit për ndihmën e dhënë”, shtoi përfaqësuesi i këngëtarit.