Qytetarët e Vorës po përballen me një situatë tepër shqetësuese pasi kamionët që transportojnë beton dhe dhe, kanë dëmtuar rëndë rrugët lokale.
Një qytetare ka denoncuar me pamje gjendjen e rënduar të rrugëve duke treguar edhe përgjegjësitë e kësaj masakre. Ajo thotë se biznesmenët e ndërtimit janë fajtorë bashkë me kryebashkiakun Blerim Shera, pasi ky i fundit jep bekimin për ndërtime vend e pa vend dhe që lënë qytetarët pa rrugë.
Në denoncimin e saj, qytetarja tregon se prej dy vitesh dëmtimet po vazhdojnë çdo ditë, duke i shkaktuar shqetësim të madh banorëve të zonës.
Rruga është prishur shumë dhe kjo ka sjellë dëme të mëdha për makinat e banorëve, duke shkaktuar çarje të gomave dhe probleme të tjera të ngjashme. Megjithatë, përpjekjet e banorëve për të denoncuar këtë situatë janë hasur në pengesa, pasi denoncimet nuk janë pranuar. Ata kanë dyshime se përgjegjësi kryesor për këtë situatë ka lidhje të ngushta me shefin e Komisariatit të Vorës dhe me kryetarin e Bashkisë.
Banorët janë të shqetësuar për pasojat që kjo mund të ketë në sigurinë e tyre dhe kërkojnë që ky problem të bëhet publik dhe të marrë vëmendjen e duhur për të parandaluar dëmtimet e mëtejshme.
Denoncimi i qytetares:
Përshëndetje, Ju lutem, nëse keni mundësi, postoni këto video për një lagje në Vorë. Për shkak kamionëve me beton edhe me dhé, kanë dëmtuar rrugën dhe po e dëmtojnë çdo ditë. Kjo situatë po përsëritet vazhdimisht, por denoncimet nuk pranohen, pasi përgjegjësit kanë lidhje me shefin e Komisariatit te Vores dhe kryetarin e bashkise. Rruga është ngritur dhe po na prishen makinat, po çahen gomat. Ju lutem, bëjeni publik këtë shqetësim.