Një ngjarje tragjike tronditi qytetin e Gjirokastrës pasditen e sotme, ku një vajzë 17-vjeçare u dërgua pa shenja jete në spital.
Sipas burimeve zyrtare nga policia, dyshohet adoleshentja i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në banesë.
Familjarët e saj, të tronditur nga situata, njoftuan menjëherë urgjencën, por për fat të keq nuk mundi të bëhej asgjë për ta shpëtuar.
Situata bëhet edhe më alarmante nga një dëshmi e pakonfirmuar që ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania.
Sipas dëshmisë, pretendohet se vajza mund të ketë qenë viktimë e bullizmit nga bashkëmoshatarët dhe trajtimeve të papërgjegjshme nga disa mësues për shkak se gjendja e saj ekonomike nuk ishte e mirë dhe ndrojtjes së saj.
Burimi anonim pretendon se ditën e sotme, një prej mësueseve i ka bërtitur para klasës, ndërsa vajza shpërtheu në lot. Në vend që të ndihmohej, situata u injorua.
Po ashtu, i njëjti burim thekson se vajza është bullizuar që prej nisjes së gjimnazit.
Adoleshentja e ndjerë që shihni në foto quhej Ersa dhe ishte nxënëse e vitit të parë në gjimnazin 'Siri Shapllo'.
Dëshmia e plotë:
Duke marrë parasysh rëndësinë e kësaj ngjarjeje dhe dëshminë alarmante, JOQ Albania i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Arsimit të hetojnë me seriozitet maksimal rrethanat e këtij rasti tragjik.
Policia e Shtetit duhet të zbardhë plotësisht ngjarjen dhe të ndërmarrë masat e nevojshme ndaj kujtdo që ka kontribuar në situata të tilla bullizmi dhe neglizhence.
Ministria e Arsimit duhet të kryejë një hetim të thelluar për trajtimin e rasteve të bulizmit në shkollat e vendit, si dhe të mbështesë psikologjikisht nxënësit që mund të jenë viktima të këtyre situatave.
Ngjarje të tilla nuk duhet të kalojnë pa reagim. Shkollat duhet të jenë vende të sigurta dhe mbështetëse për çdo nxënës, veçanërisht për ata që janë më të ndrojtur dhe vulnerabël.
Ky rast duhet të jetë një thirrje për ndryshim dhe reflektim të thellë nga institucionet arsimore dhe shoqëria në tërësi.